Zjarrfikës të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE i bashkohen përpjekjeve për kontrollin e zjarreve në Shqipëri

Zjarret po përhapen në mbarë Shqipërinë, duke shkatërruar natyrën dhe duke rrezikuar jetë ndërsa vendi po përjeton një valë tjetër të nxehti.
Mbi 10 mijë trupa ndodhen në terren duke luftuar me flakët sidomos në jug të Shqipërisë, ku zjarret dogjën disa fshatra dhe vijojnë të rrezikojnë zona të banuara.
Në solidaritet me punën plot sakrificë të trupave shqiptare të Mbrojtjes Civile, Ushtrisë dhe punonjësve lokalë, Bashkimi Evropian ka dhënë mbështetje të fortë.
Zjarrfikës nga disa vende po punojnë krah zjarrfikësve shqiptarë, pa u lodhur për të shpëtuar jetë dhe për të mbrojtur komunitetet.
Kështu, zjarrfikësit sllovakë dhe çekë janë në veprim në një zjarr në afërsi të Tepelenës.
Po ashtu, janë mobilizuar aeroplanë nga flota e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së për të ndihmuar ekipet e para lokale të ndërhyrjes për të vënë nën kontroll zjarret.
Një aeroplan nga Kroacia dhe dy aeroplanë nga Suedia iu bashkuan reagimit emergjent për kontrollin e flakëve. (13 gusht)